|
TIRANË, 4 shtator 2009 - Sipas ligjit të miratuar në shkurt të këtij viti, në
qershor 2009 filloi punën Qendra Kombëtare e Licensimit (QKL), një
institucion publik qendror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe
Energjetikës.
Duke shfrytëzuar zgjidhjet bashkëkohore që ofron teknologjia e informacionit,
kjo Qendër funksionon në bazë të një sistemi elektronik, i cili automatizon
procesin e licencimit dhe mundëson ndjekjen hap pas hapi të ecurisë së
aplikimit. Me shërbimin me një ndalesë dhe me procedura të shkurtuara,
transparente dhe të shpejta, QKL-ja redukton pengesat administrative ndaj nismës
së lirë, ul kostot për bizneset në procesin e licensimit dhe zvogëlon hapësirat
për informalitet, duke përmirësuar ndjeshëm klimën për biznes në Shqipëri.
Në kuadrin e zgjerimit të komunikimit me komunitetin e biznesit, QKL filloi
serinë e tryezave të bashkëbisedimit me përfaqësues të biznesit përmes një
takimi me anëtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe të Dhomës
Amerikane të Tregtisë. Ky takim që u zhvillua në 4 shtator tek Hotel Tirana
Internacional u fokusua në diskutime mbi sistemin e reformuar të licencave dhe
mbi veprimtarinë e QKL-së.
Në fjalën e tij Zëvendësministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, zoti
Enno Bozdo vuri në dukje angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmirësuar
klimën për biznes në Shqipëri përmes reformave të gjera, siç janë ngritja e
Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, prokurimi elektronik, deklarimet elektronike
të taksave, dhe, së fundmi, reformimin e licencave.
Zonja Eneida Guria, Drejtore e Përgjithshme e QKL-së bëri një prezantim mbi
parimet, procedurat dhe punën e QKL-së, dhe i ftoi pjesëmarrësit të diskutonin
mbi shërbimet e ofruara dhe mundësitë për përmirësimin e tyre.
Tryezën e përshëndetën edhe përfaqësues të Programi Prag të Korporatës së
Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, i administruar nga USAID. Gjatë dy
javëve të para të shtatorit QKL, e mbështetur nga ky program, do të organizojë
edhe tri tryeza te tjera bashkëbisedimi me anëtarë të Konfindustria,
Shoqatës së Grave Profesioniste dhe Afariste, Shoqatës së Avokatëve, të firmave
ligjore, si dhe përfaqësues të bizneseve në qytetin e Durrësit.
|